Shtëpia e Bardhë e konfirmon se Trump nuk ishte i informuar për sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë

Shtëpia e Bardhë e konfirmon se Trump nuk ishte i informuar për sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, është deklaruar lidhur me zhvillimet e fundit në luftën në Ukrainë, gjatë konferencës së saj të fundit për shtyp.

Ajo u pyet konkretisht për heshtjen e presidentit amerikan, Donald Trump, rreth sulmeve me dronë të ndërmarra nga Ukraina ndaj bombarduesve rusë me rreze të gjatë veprimi gjatë fundjavës.

Gjithashtu, gazetarët kërkuan të dinin nëse këto sulme tregonin se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, “kishte disa karta” në dorë në këtë konflikt – një frazë që i referohet deklaratës së mëhershme të Trump, kur i kishte thënë Zelenskyt se “nuk ka asnjë kartë”.

Leavitt shmangu pjesën e parë të pyetjes, duke theksuar se Trump “mbetet pozitiv për progresin që është bërë” në katër muajt e presidencës së tij, i cili sipas saj kulmoi me takimin e drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve të Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll.

“Trump është gjithashtu realist dhe e kupton se këto janë dy vende që janë në luftë. Ai po punon shumë për të zgjidhur këtë konflikt.”, u shpreh ajo.

Në lidhje me sulmet ajrore të Ukrainës ndaj bombarduesve rusë, Leavitt theksoi se Trump nuk ishte i informuar paraprakisht për këto veprime dhe, kur u pyet nëse ai i miratoi ato, ajo tha: “Do të doja që presidenti të fliste vetë për këtë.”

Sulmet e së dielës nga Ukraina janë cilësuar si ndër më të mëdhatë dhe më të guximshmet që nga fillimi i luftës.

Sipas autoriteteve të Kievit, janë dëmtuar ose shkatërruar mbi 40 avionë luftarakë në bazat ajrore ruse, përfshirë ato në Arktik, Siberi dhe në Lindjen e Largët – disa prej tyre më shumë se 4,300 milje larg territorit të Ukrainës.

Related Articles