“Shtëpia e Kosovës” në Davos i kushtoi buxhetit 300 mijë euro

“Shtëpia e Kosovës” në Davos i kushtoi buxhetit 300 mijë euro

Sot (e premte),  është përmbyllur Forumi Ekonomik Botëror, i mbajtur në Davos të Zvicrës, pjesë e të cilit ishte edhe Kosova. Hapësira ku i organizoi aktivitetet shteti, i kushtoi buxhetit 300 mijë euro pa përfshirë mbështetjen nga sponsorët.

Këto mjete janë ndarë nga kabineti qeveritar në nëntor të vitit të shkuar, e nga Qeveri kanë bërë të ditur se ky organizim ka pasur nevojë edhe për më shumë mbështetje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka ndarë 300 mijë euro për financimin e këtij organizimi përmes vendimeve të miratuara në mbledhjen e 277-të të qeverisë. Pjesa tjetër e shpenzimeve mbulohet nga sponsorët. Edhe këtë vit, po mbahen aktivitete të shumta, të cilat mbulojnë veçanërisht panele diskutimi me ekspertë dhe studiues me renome ndërkombëtare në fusha si ekonomia dhe teknologjia, gjersa Shtëpia e Kosovës shërben si hapësirë për diskutime me investitorë dhe sipërmarrës dhe takime bilaterale me liderë shtetërorë nga shtete mike dhe partnere”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë për KTV.

Ky është viti i dytë i këtij organizimi, e kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se do të kthehet në traditë gjatë mbajtjes së forumit.

Kryeministri në detyrë ka thënë se Kosova me shtëpinë e saj në Davos, është në mesin e 25 shteteve të botës që kanë hapësira të këtilla.

Related Articles