Organizata “Qika” përmes një aksioni para ndërtesës së qeverisë së Kosovës ka kundërshtuar taksën prej 18% të produkteve menstruale. Aty u është bërë thirrje edhe deputetëve e të Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin nismë legjislative përmes së cilës pecetat menstruale dhe tamponët lirohen nga tatimi për vlerën e shtuar.
Leonida Molliqaj e cila drejton këtë organizatë ka thënë se blerja e produkteve menstruale është barrë për gratë në Kosovë.
“Sot i sollëm pecetat menstruale dhe leckat me ngjyrë të kuqe para dyerve të qeverisë, me produkte menstruale zaptuam shkallët e hyrjes së këtij institucioni për t’ ju bërë me dije qeveritarëve që varfëria menstruale ekziston”.
“Blerja e produkteve menstruale është një barrë që rëndon mbi gratë padrejtësisht, për shkak të kushteve të rënduara ekonomike shumë gra nuk mund ta përballojnë blerjen e pecetave andaj në pamundësi të mjeteve të duhura ato detyrohen të përdorin materiale të pasigurta për shëndetin e tyre”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se shteti po i takson gratë për diçka që është krejtësisht jashtë kontrollit të tyre.
“Kjo taksë është seksiste sepse ne po takosohemi për menstruacionet tona, pra taksë veç pse jemi gra. Duke vërejtur refuzimin e qeverisë tash e sa kohë për të shtyrë përpara këtë çështje ‘Qika’ nga këtu fton deputetët e Kuvendit të Kosovës që ti bashkohen iniciativës sonë të bëhen bashkë dhe të ndërmarrin nismën legjislative përmes së cilës pecetat menstruale dhe tamponët lirohen nga tatimi për vlerën e shtuar dhe kategorizohen si mall i liruar nga tatimi doganor”, ka shtuar ajo.