Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt, ka njoftuar se dje rreth orës 19:00 policia në Shtime ka pranuar një informacion se në rrugën “Tahir Sinani” është një rast i lëndimit trupor.
“Në lidhje me këtë policia e stacionit në Shtime i ka marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Nga informatat e para është mësuar se një person S.G (M/K) i moshës 21 vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore. Dyshohet se lëndimet i janë shkaktuar nga një person tjetër me një mjet të mprehtë, i cili më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej në njoftim thuhet se për ndihmë mjekësore, fillimisht viktima është dërguar në Qendrën Emergjente në Shtime, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
“Në vendin ngjarjes kanë dalë edhe njësia e hetimeve të stacionit, e cila nën autorizim të prokurorit kujdestar kishte nisur hetimet. Pas një pune intensive hetimore të policëve hetues, grumbullimit të informacioneve në terren , hetuesit kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarin dhe vendin e ndodhjes së tij, të cilin më pas e kanë arrestuar”, thuhet në njoftim.
I dyshuari A.A ( M/K) i moshës 15 vjeçar është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe pas intervistimit nga policët hetues, në prezencë edhe të avokatit mbrojtës me detyrë zyrtare dhe prindit të tij, me vendim të Prokurorit të rastit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i njëjti është dërguar në mbajtje për 24 orë, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Lëndim i rëndë trupor”.