Shtime: Kapet 33-vjeçari me armë ilegale dhe municion metalik

Shtime: Kapet 33-vjeçari me armë ilegale dhe municion metalik

Policia e Ferizajt ka bërë të ditur se në kuadër të planit operativ “Rrjeta”, një person është kapur në Shtime me armë dhe municion të kundërligjshëm. Ngjarja ka ndodhur më 4 dhjetor, rreth orës 17:00, pasi patrulla policore mori informacion për një person që dyshohej se posedonte armë ilegale.

Tre zyrtarë policorë kanë dalë në terren dhe kanë hasur të dyshuarin Rr. B., 33 vjeç. Ai është njoftuar për kontrollin dhe ka pranuar se mbante një armë të llojit Ekol me bocë ajri dhe municion me rruza metalike.

Gjatë bastisjes së lokalit, policia ka konfiskuar:

1 armë të llojit Ekol

1 karikator

3 bocë ajri

295 rruza metalike, kalibër 4.5 mm

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor të Shtimes. Pas intervistimit, prokurori i shtetit ka iniciuar rastin penal “Mbajtje në pronësi, kontroll ose përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”. Rasti po vazhdon në procedurë të rregullt hetimore.

Policia Rajonale e Ferizajt u bën apel qytetarëve të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë që cenon sigurinë publike, sidomos rastet që lidhen me armë ilegale. Sipas policisë, çdo informatë trajtohet me konfidencialitet të plotë, ndërsa reagimi është i menjëhershëm.

Qytetarët mund të telefonojnë në 192 ose të përdorin aplikacionin “Lajmëro Policinë” për të raportuar raste të dyshuara.

Related Articles