Shtuni: Situata në veri mund të destabilizohet – e nevojshme të zgjidhet kriza mes Kosovës dhe Serbisë

Shtuni: Situata në veri mund të destabilizohet – e nevojshme të zgjidhet kriza mes Kosovës dhe Serbisë

Studiuesi Adrian Shtuni, i cili merret me fenomenin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ka paralajmëruar se polarizimi social dhe politik që ekziston sot në shtetet e rajonit, i nxitur nga gjuha e urrejtjes lidhur me konfliktin në Lindje të Mesme mund të përshkallëzojë situatën e brishtë veçanërisht në Kosovë.

Shtuni ka deklaruar se konfliktet në Ukrainë, Gaza si dhe sulmet e grupeve si Hudhi dhe vendet e tjera, mund të destabilizojnë akoma më shumë situatën në veri të Kosovës por edhe në rajon.

“Unë mendoj që sa më tepër kriza akute të sigurisë të jenë në botë, aq më shumë është e nevojshme që kriza midis Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet për shkak se vëmendja fatkeqësisht është e limituar, resurset janë të limituara dhe në qoftë se ka zjarre më të mëdha, që janë duke u djegur me dimensione akoma më të mëdha rajonale, fatkeqësisht mund të mos ketë nivelin maksimal të impenjimit, sidomos kur ky impenjim është frustruar nga një qasje jo bashkëpunuese. Prandaj duhet që të ketë një shtim të impenjimit real, jo thjesht me fjalë, për të zbatuar marrëveshjet e arritura në mënyrë që të shkohet drejt normalizimit të marrëdhënieve. Përndryshe kam frikë se me gjithë këto konflikte, në Ukrainë, në Gaza, sulmet e grupeve si Houthi po edhe në vendet e tjera, kam frikë se nëse vazhdohet në këtë mënyrë mund të kemi destabilizim potencial në veri të Kosovës, por edhe në rajon. Dhe këtu pikërisht është edhe shqetësimi, prandaj duhet të ketë më tepër vëmendje dhe më tepër impenjim për gjetjen e një zgjidhjeje.

Kemi një vend mjaft të polarizuar. Po t’i hapim gazetat qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Serbi, qoftë në Bosnjë, kryefjala e titujve është luftë. Në qoftë se njerëzit hapin televizorin shikojnë luftë, në Gaza, në Ukrainë. Hapin gazetat lexojnë për luftë, luftë lokale, luftë brenda komuniteteve të tyre dhe në qoftë se shkojnë në media sociale dhe gjëja kryesore që shikojmë është që nuk ka durim për debat, por ka vetëm sharje dhe kërcënime, atëherë të gjitha këto kombinohen me njëra tjetrën për të krijuar një situatë, e cila është shumë problematike dhe nga polarizimi social, polarizimi politik, sepse nuk kemi vetëm polarizim ndëretnik, kemi edhe polarizim politik brenda etnik. Në Kosovë, po ta shikojmë, nuk ka dialog midis palëve politike, partive politike, jo dialog konstruktiv, sidomos në një kohë krize. Kjo është e pashpjegueshme. Të gjitha këto shtojnë tensione dhe ky polarizim i shtuar, bashkë me faktorët që vijnë nga jashtë, shton stresin, shton ankthin, shton edhe radikalizimin dhe në qoftë se kemi radikalizëm të shtuar për shkak të polarizimit, atëherë mund të kemi dhe dhunë politike, që ne faktikisht e kemi parë. Dhunë politike në Banjska, që ka qenë jashtëzakonisht e rrezikshme dhe që akoma nuk është zgjidhur, sepse akoma dhe sot Radoiçiç dhe ata që e kanë kryer atë akt janë duke ecur të lirë, nuk janë përballur me asnjë lloj drejtësie. Kjo akoma më tepër na shqetëson sepse sjell edhe komponentin tjetër, që ka shtete dhe jo vetëm grupacione që janë të interesuar për destabilizim në rajon“, ka deklaruar ai për Zërin e Amerikës.

Related Articles