Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Me kërkesë të avokates Dafina Osmani, përfaqësuese e palës së dëmtuar Adnan, Vedat dhe Teuta Rexhepi, është shtyrë seanca e së mërkurës në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Sipas avokates Osmani (e cila në seancë ishte me autorizim zëvendësues nga avokati Besnik Berisha), ky i fundit nuk mund të jetë prezent në gjykatë sot për arsye familjare. Andaj, kërkoi mirëkuptim për shtyrjen e seancës, pasi është në fazën e ekzaminimit të dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Osmani shtoi se avokati Berisha dëshiron të jetë prezent për vazhdimin e marrjes në pyetje të dëshmitarës Hanumshahe Rukovci nga seanca e kaluar.

Kërkesën e avokates Osmani e mbështeti prokurori Armend Hamiti dhe të dëmtuarit Adnan dhe Vedat Rexhepi. Ndërsa, nuk u kundërshtua nga të akuzuarit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, as nga mbrojtësit e tyre, avokatët Ndrec Dodaj dhe Shemsedin Piraj.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi, mori vendim që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër.

Ndryshe, seancat 5 tetorit 2023 , ajo e 30 nëntorit 2023 dhe seanca e datës 23 janar 2024, ishin mbyllur me kërkesë të prokurorit Armend Hamiti.

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Related Articles