Është shtyrë gjykimi për vrasjen e ish-politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i cili ishte paralajmëruar për sot, të martën e 1 nëntorit.
Arsyeja për shtyrjen e seancës në rastin e ish-liderit serb ka të bëjë se gjykata në fjalë nuk ka mundur të sigurojë dëshmitarin i cili do të duhej të dëshmonte në seancën e ditës së sotme.
Kështu të paktën ka njoftuar avokatja e një prej të akuzuarve në vrasjen e Ivanoviç’it, Jovana Filipoviç.
“Seanca është shtyrë, gjyqi pritet të fillojë të premten e 4 tetorit”, ka thënë shkurt ajo për portalin serb me seli në Kosovë, RTV Kim.
Arrestimi i ish-pjesëtarit të xhandarmërisë serbe, Milan Mihajloviç, kishte shkruar mediumi opozitar serb Nova.rs, i cili dyshohet se i përket grupit kriminal që organizoi vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç, e përforcon faktin se pjesëtarët e njësive speciale të policisë serbe në shumicën e rasteve kanë marrë pjesë në ngjarjet më të rënda, siç janë ato të vrasjeve politike.
Milan Mihajloviç, ish-pjesëtar i detashmentit të xhandarmërisë në Kraljevac, ishte arrestuar më 19 tetor, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimin se ishte pjesë e grupit kriminal që organizoi vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç’it.
Gjykata Themelore në Prishtinë të premten kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të dyshuarit, Mihajloviç, raporton Nova.rs.
Mihajloviç, pas tri viteve të kaluara në xhandarmërinë serbe, ishte caktuar në departamentin e policisë së Mitrovicës së Veriut, ku ka qenë i punësuar deri në fillimin e procesit të integrimit të policisë së veriut të Kosovës në Shërbimin Policor të Kosovës, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit.
Sipas dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur të prokurorisë në gjykimin e vrasjes së Ivanoviç, Mihajloviç ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Milan Radoiçiçin gjatë vitit 2017 dhe konsiderohej i besuari i tij.
Ivanoviç u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës se partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.
Të akuzuarit në këtë rast janë Nedejklo Spasojeviç, Marko Roshiç, Rade Basara dhe Silvana Arsoviç, të cilët ngarkohen se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviç’it.
Seanca fillestare në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviç’ot, ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.