Sistemi i ri i hyrje-daljeve (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian – i paraparë të hynte në fuqi nga 10 nëntori i këtij viti – është shtyrë për një kohë të papërcaktuar, për shkak se një pjesë e vendeve anëtare të bllokut nuk janë ende të gatshme për përdorimin e tij.
EES, i cili u krijua në nëntor të vitit 2017, është sistem i paraparë për udhëtarët nga vendet joanëtare të bllokut.
Komisionarja e BE-së për punë të brendshme, Ylva Johanson, e bëri të ditur lajmin të enjten, por nuk tregoi se kur mund të hyjë ai në fuqi.
Me sistemin EES, të gjithë qytetarët nga vendet jo anëtare që udhëtojnë për në BE, duhet t’i regjistrojnë në një sistem të veçantë digjital hyrjet dhe daljet e tyre nga territori i vendeve të BE-së.
Në vendkalimet kufitare, ata duhet të lënë edhe të dhënat personale, përfshirë edhe gjurmët e gishtërinjve dhe të dhënat e tjera biometrike.