Instituti GAP të dielën e ka publikuar raportin “Qëndrueshmëria e investimeve kapitale të komunave”, ku theksohet se në nivel komunal, një numër i konsiderueshëm i projekteve kapitale nuk janë funksionalizuar asnjëherë apo nuk kanë arritur rezultatin e planifikuar, raporton Gazeta “Enigma”.
“Raporti i Institutit GAP ofron shembuj të investimeve të kryera që nga viti 2000 të cilat akoma nuk janë funksionale. Ndërsa raste të tjera përfshijnë ndërtimin e shkollave, që pas përfundimit të ndërtimit është konstatuar që terreni është jo i përshtatshëm për ardhje/vajtje të nxënësve, ose ndërtimin e qendrave mjekësore për të cilat pas përfundimit është konstatuar që nuk ka numër të mjekëve për t’i bërë ato funksionale, e deri të ndërtimi i kontenjerëve nëntokësorë për mbeturina, që vetëm pas ndërtimit është konstatuar që Kosovës i mungojnë automjetet adekuate për tërheqjen e mbeturinave në sistemin nëntokësor”, thuhet në raport.
“Këto raste, përveç që dëshmojnë mos planifikim të duhur të investimeve, janë edhe rezultat i ndryshimeve demografike dhe rrjedhimisht, mungesa e nevojës për shfrytëzimin e tyre; mosmirëmbajtja dhe dëmtimi i projekteve pas përfundimit të investimeve; kontestet pronësore; mungesa e fondeve të mjaftueshme për të përfunduar projektin dhe në disa raste pamundësia e komunave për të pranuar staf me pagesë të rregullt, në menaxhimin ose funksionimin e objekteve të caktuara”, thuhet në njoftimin e GAP-it.
Instituti GAP ka analizuar shkaqet që çuan në dështimin e disa projekteve kapitale në të kaluarën.
Sipas këtij raporti, arsyet që mund të dërgojnë në investime kapitale të dështuara, në njërën anë, ndërlidhen me mospërfshirjen e mjaftueshme të grupeve të interesit gjatë fazave të projekteve, dhe në anën tjetër, me mosrespektimin e plotë të procedurave ligjore të prokurimit, duke filluar nga hartimi i kontratave me operatorët ekonomikë dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre.
GAP ka ofruar edhe një numër rekomandimesh se si do të mund të përmirësohen politikat publike në këtë fushë.
Raportin mund ta gjeni bashkangjitur në këtë email ose duke klikuar këtu