E përditshmja britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull bandave shqiptare, të cilat kanë zaptuar eksportin e kokainës në Ekuador.
Këta të fundit, marrin përsipër rrjetet e trafikimit të dominuara më parë nga mafia italiane.
Rrëfimi i botimit britanik fillon në lagjen veriore Pascuales të Guayaqui-t (Ekuador).
Mbi qytetin port të Ekuadorit, është ngritur ‘shkolla për sicario-s‘.
Sicario në zhargonin e karteleve meksikane të drogës nënkupton një vrasës me pagesë.
“Shkolla” i mëson nxënësit e saj që të ngarkojnë armët, të gjurmojnë objektivat e tyre dhe të vrasin.
Ato, shkruan “The Telegraph”, janë hapi i parë për vrasësit e rinj aspirantë (sicarios).
Kjo, për t’iu bashkuar bandave rivale që konkurrojnë për një pjesë të tregut në rritje të eksportit të kokainës në Evropë.
Rekrutët e rinj fillimisht pritet të vrasin një anëtar të bandës rivale, ose në disa raste, familjen e tyre.
“Ata detyruan disa fëmijë të vrisnin kushërinjtë ose xhaxhallarët e tyre”, thotë Juan, 16 vjeç, për The Telegraph.
Rritja e kampeve të vrasjeve në Guayaquil vjen pasi një betejë e re e ashpër shfaqet në qytet.
Fraksionet lokale janë futur në një luftë brutale për të punuar për “padronët e rinj” të rajonit të eksportit të kokainës: bandat shqiptare.
Efekti
Ky port plot zhurmë, porta për në plazhet e Paqësorit të Ekuadorit dhe në ishujt Galapagos, është kthyer në një zonë lufte.
Dhe valëzimet e saj mund të ndjehen deri në Grimsby, shkruan gazeta britanike.
Sipas burimeve të policisë britanike, nga 11 tonë kokainë rekord që u kapën në Britaninë e Madhe vitin e kaluar, shumë ka të ngjarë të jetë marrë nga fraksione kriminale nga Ballkani.
Ata e dërgojnë drogën në brigjet britanike nga Amerika e Jugut, nëpërmjet Belgjikës ose Holandës, të cilat i kanë kthyer në portet kryesore të drogës në Evropë në vitet e fundit.
Në Amerikën e Jugut, fragmentimi i strukturave të organizuara kriminale që nga marrëveshja e paqes me guerilët e Farc-ut, ka hapur tregun e drogës, duke i lejuar bandat shqiptare të futen brenda.
Duke lënë mënjanë ndërmjetësit tradicionalë italianë apo meksikanë, shqiptarët negociojnë drejtpërdrejt me prodhuesit.
Ata tani komandojnë kryesisht të gjithë zinxhirin e furnizimit nga Amerika e Jugut në Evropë.
Dhe kjo sjell një produkt më të lirë dhe më cilësor në vende si Britania, ku përdorimi i kokainës është bërë i kudondodhur – dhe jo më vetëm në mesin e klasave të mesme.
Agjencia Kombëtare e Krimit thotë se grupet e dhunshme kriminale shqiptare tani dominojnë botën e krimit britanik.
Guayaquil është bërë epiqendra e fundit e dhunës në botë të lidhur me drogën.
Në lagjet më të varfra të Guayaquil, vrasja është bërë pothuajse rutinë, dhe shumë nga viktimat janë fëmijë dhe adoleshentë.
Muajin e kaluar, dy vëllezër të moshës 6 dhe 10 vjeç u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre teksa luanin me lodrat e tyre. Një fëmijë i tretë, 5 vjeç, ka mbetur i plagosur.
Në fillim, policia besonte se fëmijët ishin “dëm kolateral”, por tani ata thonë se të miturit ishin në shënjestër të drejtpërdrejtë nga rivalët kriminelë të babait të tyre.
Shifrat e policisë tregojnë se numri i nën-18-vjeçarëve të vrarë në qytet deri më tani këtë vit është trefishuar që nga viti 2021.
Shkalla e vrasjeve në Guayaquil është dyfishuar në 34.1 për 100 mijë banorë në 12 muajt e fundit, duke e bërë atë një nga qytetet më të rrezikshëm në botë.
Dhe nuk vriten vetëm gangsterët.
Janë vrarë edhe prokurorët e lidhur me çështjet kundër trafikantëve të drogës dhe gazetarët që ekspozojnë rrjetet e tyre të paligjshme.
Afekti
Dy javë më parë një makinë bombë shpërtheu në qytet, duke vrarë pesë persona.
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, i cili nuk iu përgjigj kërkesave për intervistë, tha se bombardimi ishte një shpallje lufte nga bandat.
Presidenti menjëherë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, duke militarizuar efektivisht qytetin dhe duke vendosur shtetrrethim dhe pika kontrolli.
Por është shumë vonë.
Arrestimet e fundit të gjyqtarëve, avokatëve dhe komandantëve të marinës – të gjithë të implikuar në skandalet e korrupsionit dhe trafikun ndërkombëtar të kokainës – tregojnë se si vendi po shndërrohet me shpejtësi në një “narkoshtet”.
Shqiptarët mbështeten te bandat lokale në Ekuador për t’i ndihmuar ata të transportojnë kokainën e tyre dhe të ofrojnë garanci.
Dhe kjo ka krijuar një rivalitet të ashpër mes kundërshtarëve për t’u bërë më i madhi dhe më i miri.
Sipas burimeve brenda komunitetit të inteligjencës së Ekuadorit, shqiptarët bashkëpunojnë me banda të ndryshme në pika të ndryshme të zinxhirit të furnizimit, por ato me më shumë terren, më shumë armë dhe më shumë kontroll bëhen partnerët e preferuar.
Një nga humbësit në rendin e ri është banda Choneros, e cila dikur dominonte peizazhin kriminal të Ekuadorit.
Vrasja e liderit të bandës vitin e kaluar ndezi përleshje të brendshme dhe një seri trazirash në burgje, në të cilat u vranë më shumë se 300 të burgosur, shumë prej të cilëve iu prenë koka.
Shqiptarët drejtojnë dy zinxhirë furnizimi në Guayaquil, një nga Kolumbia jugore dhe tjetri nga Peruja.
“Ekuadori është kthyer në një vend me rëndësi strategjike për shqiptarët”, thotë koloneli Ramos i policisë kundër narkotikëve. “Ne jemi fjalë për fjalë në mes të operacioneve të tyre”.
Porti në lumin Guayas në Guayaquil është kthyer në një qendër kryesore të shpërndarjes së kokainës për shqiptarët, pasi ata kërkojnë të rrisin eksportet e tyre në Evropë.
Në vitin 2021, policia sekuestroi një rekord prej 210 tonësh kokainë në port, nga 128 tonë në 2020./Albanianpost.com