Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me 24 vjet burgim dhe me 500 euro gjobë Skënder Qerimaj për vrasjen e gruas së tij në Llaushë të Skënderajt.
Klan Kosova ka raportuar vazhdimisht për rastin në fjalë. Më 5 janar të këtij viti kur kishte ndodhur vrasja, burime për televizionin brenda Prokurorisë Themelore të Mitrovicës kishin bërë me dije se se e gjithë ngjarja kishte ndodhur në dhomën e ditës të shtëpisë së çiftit, ku 51 vjeçari kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të gruas së tij, 48 vjeçares, L.Q.
Viktima, me plagë të rënda, ishte dërguar në urgjencën e qytetit, derisa drejtori i QKMF-së në Skenderaj, Agron Mehmeti, e kishte konfirmuar për Klan Kosovën se viktima ishte sjellë me shenja jete.
Por më pas, e njëjta menjëherë ishte nisur drejt Spitalit të Mitrovicës, por atje kishte arritur pa shenja jete, pasi viktima nuk kishte arritur t’iu bënte ballë plagëve të marra.
Trupi i viktimës, me urdhër të prokurorit, u dërgua për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Ndërkohë, burimet e njëjta pranë prokurorisë kishin bërë të ditur se i dyshuari, bashkëshorti i viktimës, pas kryerjes së aktit, ishte dorëzuar në stacionin policor. Pas intervistimit, të dyshuarit iu caktua masa e ndalimit policor.
Ditë më vonë në qytetin e Skënderajt gra të shumta kishin dalë për të protestuar për të vrarën duke kërkuar drejtësi, protestës së tyre iu ishte bashkangjitur edhe e bija e viktimës.