Një kaos i madh u shkaktua në rrugët e Gjermanisë si pasojë e erërave të fuqishme që kanë shkulur edhe disa drunjë kështu duke lënë të vdekur një person dhe dy të tjerë të plagosur, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Në qytetin Beelitz, afër kryeqytetit Berlin në mbrëmjen e së shtunës, një burrë 58-vjeçar ka vdekur pasi një shtyllë elektrike ka rënë mbi të teksa ka qenë duke ecur me partneren e tij, kanë raportuar mediat lokale duke cituar policinë.
Rënia e një druri ka plagosur një këmbësor në qytetin verior Bremen, derisa në rajonin Pomerania një motoçiklist është plagosur seriozisht pas përplasjes në një dru të rrëzuar.
Erërat kanë penguar edhe shërbimet e trenave në distanca të gjata të shtunën dhe të dielën në veri dhe lindje të Gjermanisë, përkatësisht në Berlin, Bremen dhe Hamburg.
Zjarrfikësit e Berlinit u kanë kërkuar banorëve të qëndrojnë nëpër shtëpi, pas raportimit për erëra të fuqishme.
Shërbimet e motit kanë paralajmëruar të dielën se erërat e fuqishme do të përhapen në jug të Gjermanisë. /Gazeta Enigma/