Në një aksion që ka nisur sot në mëngjes në Vërmicë, pritet të arrestohen rreth 60 policë të Kosovës dhe Shqipërisë, nën dyshimet për korrupsion.
Deri tash, janë arrestuar të gjithë udhëheqësit e Policisë së Shqipërisë në këtë pikë kufitare.
Por, si iu ranë në gjurmë Inspektorati e Prokuroria këtyre zyrtarëve policorë?
Për këtë aksion, nga IPK-ja dhe Prokuroria, kanë thënë se kanë bërë hetime qe 1 vjet.
Madje, thonë se janë përdorur edhe masa të fshehta të hetimit.
“Operacionit të sotshëm (i koduar me emrin “Pika 2”) i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit”, thuhet në komunikatën e përbahkët të këtyre dy institucioneve.
Hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri.
Aksioni është duke vazhduar ende. Ky aksion është vazhdimësi e aksionit “Pika 1”, ku kishin përfunduar të arrestuar mbi 50 zyrtarë policorë.