Si t’i shmangni dramat me familje gjatë festave?

Si t’i shmangni dramat me familje gjatë festave?

Festat e fundvitit janë një kohë kur familjet dhe miqtë bëhen bashkë për të biseduar dhe qeshur ose për t’u përfshirë në debate me tone të larta.

Ka shumë arsye që bashkimi me familjarë dhe miq mund të shndërrohet në tension – ndoshta një kushëri që ju e keni dashur më së shumti ka një mendim mbi politikën apo ngjarjet në botë me të cilin ju nuk mund të pajtoheni, apo gjyshërit tuaj nuk ndalen së foluri për zgjedhjet e jetës tuaj. Ndoshta dikush në rrethin tuaj përballet me abuzim të substancave apo ka shqetësime për shëndetin mendor. Dhe mos harroni se një person që sillet keq, dëshiron vetëm të grindet.

Kjo mund të mjaftojë që të acaroheni. Por, ekspertët e psikologjisë dhe të shëndetit mendor thonë se nuk duhet të ndodhë kjo dhe ata kanë disa sugjerime që ndihmojnë në menaxhimin e bashkimit me familjarët gjatë festave.

Kuptoni “pse-në” tuaj

Është e rëndësishme që njerëzit të dinë pse futen në situata të tilla të cilat e dinë se mund të jenë tensionuese apo edhe më keq, tha Ramani Durvasula, psikologe klinike, e cili flet për dëmet nga lidhjet narcisiste.

Nëse kjo është për shkak se familjarë të tjerë për një arsye ose tjetër duan drama, është thelbësore “ta keni të qartë arsyen”, tha ajo, “sepse në të kundërtën do të ndiheni vetëm si kartë e djegur”.

Mos bini pre e vrullit të festave

Nëse keni shikuar mjaftueshëm filma që paraqesin atmosferën e festave, mund të mendoni se kjo kohë e vitit është kur mesazhet e shpresës janë kudo, nënkupton që marrëdhëniet tuaja me personat që janë të prirë për konflikt, e me të cilët keni luftuar në shumicën e momenteve të jetës suaj, do të jenë disi magjike dhe të mira.

“Ekziston një lloj fantazie për rregullimin e marrëdhënieve”, tha Tracy Hutchinson, që ligjëron lëndë të shëndetit mendor në Kolegjin William & Mary në Virxhinia. Ajo tha se personat duan të besojnë “se ndoshta kësaj radhe do të jetë ndryshe, në vend se thjesht të pranojnë se në realitet nuk do të jetë ndryshe. Por, ajo që mund të jetë e ndryshme është se si i qaseni marrëdhënies dhe si i qaseni situatës”.

Disa tema më mirë të shmangen

Me gjithçka që po ndodh sot në botë, nuk do të ishte e vështirë që të keni dallime me dikë sa i përket një çështjeje politike apo një ngjarjeje aktuale. Nëse keni dallime të tilla, sipas psikoterapistes Jeanne Safer, këto tema nuk duhen diskutuar. Ajo është autore e librit “Të dua, por urrej politikën tënde”.

“Mendoj se njerëzit kanë vështirësi të madhe që ta kuptojnë se mund ta duan dikë dhe të kenë shumëçka të përbashkëta, dhe të mos mund të flasin për politikë”, tha ajo. “Nuk duhet që të flisni për gjithçka.

Por, nëse flisni për politikë, qëllimi duhet të jetë komunikimi e jo përplasja.

“Mos tentoni t’i bindni se ju keni të drejtë e ata gabim”, tha Tania Israel, profesoreshë në Universitetin Santa Barbara të Kalifornisë. “Më e mira është që t’i kuptoni ata dhe ta shprehni se ju i doni”.

Sipas saj, nëse dikush ju thotë diçka për të cilën nuk pajtoheni, ju mund t’i thoni: “Më tregoni sesi e keni formuar këtë opinion, më trego më shumë për lidhjen që ke me këtë çështje, pse është kaq e rëndësishme për ju. Parashtroni këto pyetje”.

Kujdesuni për veten

Nëse e dini se situata në familjet tuaja gjatë festave do të jetë e rënduar, gjeni mënyra për t’i ofruar vetes disa momente paqeje ose shpërqendrojeni veten, tha Durvasula. Ajo rekomandoi ecjet, leximin e ndonjë libri apo meditimi. Pavarësisht se është sezoni i festave, ajo këshillon që të kujdeseni për veten.

“Gjeni mënyra që të festoni me njerëz të shëndetshëm, kushdo qofshin ata. Ata jo domosdo mund të jenë anëtarë të familjes suaj. Mund të jenë miqtë tuaj, kolegët. Bëjeni këtë në mënyrë që gjatë festave të ndieni se diçka e rëndësishme iu ka ndodhur”.

Related Articles