Si u renditën kandidatet gra në zgjedhje lokale?

Si u renditën kandidatet gra në zgjedhje lokale?

Zgjedhjet lokale të 12 tetorit kanë përfshirë10 gra në garë për kryetare komunash (pa përfshirë këtu komunat me shumicë serbe), në qytete si Prishtina, Peja, Prizreni, Ferizaj, Vushtrria, Deçani, Kamenica, Fushë Kosova, Drenasi dhe Kaçaniku, duke reflektuar përpjekjet për përfshirje gjinore në nivel lokal.

Ky fakt vë në pah një synim për rritje të përfaqësimit gjinor në nivel lokal, ndërsa zgjedhjet paraqesin një fushë të re sfidash dhe mundësish për gratë lidere në Kosovë.

Nga rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ, kandidatja e PSD-së për Prishtinën, Besa Shahini është renditur e pesta me 1,55% apo 1 mijë e 591 vota.

Kandidatja e PDK-së për Pejë, Arta Nallbani, është renditur e katërta me 4,86% apo 2 mijë e 005 vota nga gjithsejtë 41 mijë e 283 qytetarë që kanë ushtruar të drejtën e votës.

Natyra Kuçi, kandidate e PSD-së për Deçanin, është renditur e treta sipas rezultateve preliminare nga KQZ, ku ka marrë 11,73% apo 1 mijë e 789 vota.

Në Prizren, Emilja Rexhepi nga Nova Demokratska Stranka ka marrë 3,63% apo 2 mijë e 102 vota duke u renditur e gjashta me radhë nga kandidatët e tjerë.

Kandidatja e NISMA-s në Vushtrri, Xhevahire Izmaku, është renditur e katërta me 2,40% apo 712 vota sipas rezultateve të KQZ-së.

Në Ferizaj, kandidatja e AAK-së për kryetare në këtë komunë, Xhemile Murati Shabani, është renditur e katërta me vetëm 1,70% apo 835 vota.

Jona Arifi, kandidate e PDK-së për kryetare të Kamenicës, ka marrë gjithashtu pak vota sikurse kandidatet e tjera gra në komunat e tjera. Arifi është renditur e pesta me 4,69% apo 685 vota.

Vildane Latifi nga AAK në Fushë Kosovë është renditur e katërta me vetëm 1,18% apo 250 vota.

Kandidatja e LVV-së në Drenas, Egzona Tërdevci, është renditur e treta me 4,01% apo 1 mijë e 8 vota.

Kandidatja për kryetare të Kaçanikut nga radhët e AAK-së, Hafize Sallahi, është renditur e gjashta në këtë komunë sipas rezultateve preliminare të KQZ-së. Ajo ka marrë 1,37% apo 220 vota.

Sipas këtyre rezultateve bazuar edhe në numrin e votuesve që kanë qenë në këto komuna, kandidatja grua më e votuar është Arta Nallbani e PDK-së në Pejë. 

Related Articles