Sigal Prishtina është eliminuar në ndeshjen e parë të luajtur në kuadër të kualifikimeve për fazën e grupeve në FIBA Europe Cup. Në gjysmëfinale të turneut të Grupit B, Prishtina ka pësuar humbje të thellë nga Kalevi i Estonisë. Në duelin e luajtur të mërkurën në palestrën “Jonavos Sporto Arena” në Jonava të Lituanisë, Prishtina u mposht me shifrat 98:61.
Me këtë fitore, Kalevi është kualifikuar në finale të këtij turneu. Kjo është fitorja e dytë rresht e Kalevit në këto kualifikime, pasi të martën në çerekfinale e eliminoi edhe Cedevita Juniorin e Kroacisë, me rezultatin e thellë 93:73
Në duelin ndaj Prishtinës, Kalevi ishte më i mirë dhe dominoi bindshëm, sidomos në dy çerekët e fundit. Në fakt, Kalevi i fitoi të gjithë çerekët përball Prishtinës, e cila në këtë ndeshje kishte në ekip vetëm dy amerikanë, Derrick Wilsonin e Dustin Thomasin. Kalevi e mbylli pjesën e parë me dhjetë pikë epërsi (49:39), e cila u thellua në dy periudhat e fundit të ndeshjes. Çereku i tretë, përfundoi me 23 pikë avantazh për Kalevin (73:50), përpara se ndeshja të mbyllet me fitoren bindëse të estonezëve prej 37 pikëve. Më efikasi te Kalevi në këtë fitore, ishte Kristjan Kitsing me 24 pikë të shënuara, ndërsa Martins Meiers shtoi 14 sosh dhe pati 8 kërcime.
Te Prishtina, Derrcik Wilson e Jan Palokaj shënuan nga 14 pikë secili, ndërsa amerikani pati edhe pesë kërcime e po aq asistime. Dardan Berisha ndeshjen e mbylli me 13 pikë të shënuara.