Sot në gjyqin për vrasjen e Liridona Ademajt, ku akuzohen Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava, seanca vazhdoi me propozimin e provave për administrim nga prokurorja Javorka Perlinçeviq.
Provat që ajo përmendi ndër tjera janë: Raporti i bastisjes më 1 dhjetor 23 tek të dyshuarit Murseli, Plava e Kokalla, vërtetimi për konfiskim të përkohshëm, raporti informues nga vendi i ngjarjes, raporti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, ekspertiza balistike e armës, raporti i autopsisë, raporti preliminar për telefonat e të akuzuarve, raporti analitik përfundimtar për analizimin e video-incizimit, raporti informues për transaksionet bankare nga banka të ndryshme.
Gjithashtu, propozoi të administrohen dy CD për raportet nga kompania për thirrjet telefonike nga telefonat e të akuzuarve Plava dhe Kokalla, që kanë qenë të disponueshme pasi sipas saj, dihet që dy telefona të Naim Murselit dhe tani të ndjerës Liridona kanë humbur atë natë në mënyrë misterioze.
Sipas prokurores, në rrjetin social Whatsapp janë gjetur kontaktet ndërmjet Granit Plavës dhe Naim Murselit, dhe sipas provave të gjetura, ato kontakte kanë filluar të zhvillohen nga 23 nëntori 2023 rreth orës 18:33 dhe kanë vazhduar me ditë të tëra deri më 24, 27, 28 nëntor 2023 dhe në datën kur ndodhi vrajsa më 29 nëntor 2023.
Prokurorja theksoi se më 28 nëntor 2023, në orën 19:41, i pandehuri Murseli ka dërguar një mesazh tek Plava, ku shkruan “shok, sigurisht kryhet nesër…”.
Më tej, prokurorja tha se kishte vazhduar thirrja me telefon dhe se e fundit mes tyre ishte në Whatsapp më 29 nëntor 2023 në orën 19:01, ku kanë biseduar 28 sekonda.
Sipas saj, duke shikuar video-incizimet, kjo është koha kur Murseli në njërën anë me familje dhe në anën tjetër Plava në anën tjetër kanë qenë në të njëjtin restaurant, raporton Betimi për Drejtësi.
Ajo po ashtu përmendi se si Plava kishte hyrë në veturë dhe i kishte pritur Murselin dhe familjen e tij dhe kishte filluar t’i përcjellë deri në vendin e ngjarjes.
