Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dëshmia e Hysen Metës, djalit që shkrepi armën drejt babait rreth dy javë më parë dhe në bashkëpunim me motrën dhe vëllezërit e groposën dhe thanë se ai ishte zhdukur.
“Me babanë kam patur konflikte te shumta”, mësohet të ketë thënë Hyseni, pasi babai e fyente gjithmonë për shkak se ai për momentin ishte pa punë si dhe gjithashtu herë pas here ai fyente dhe të ëmën e motrën e tij, thuhet në dosjen e siguruar nga Top Channel.
Në dosje theksohet se ditën e shtunë në datë 10.02.2024 pasdite kur kanë qenë të dy në banesë janë konfliktuar tek kuzhina dhe ai ka dalë e ka marrë armën pistoletë TT të babait që e linte tek një dhomë e vogël dhe me të e ka qëlluar atë katër herë duke e vrarë. Më pas e kanë mbështjellë me plasmas dhe e kanë fshehur kufomën duke e futur në një gropë tek kasollja e bagëtive.
Bashkë me të vëllanë rreth orës 04.00, kanë lëvizur makinën për ta hequr nga banesa dhe për të gënjyer që babai ishte larguar, dhe kështu Amarildo ka marrë makinën tip “Citrowen” e ka lëvizur në drejtim të Sektor Rinia për ta lënë makine andej, dhe ai me një makinë “Audi A 8″ ngjyrë të zezë që ia ka marrë personit S. B. e ka ndjekur pas të vëllanë e pasi e kanë mbyllur makinën janë kthyer në banesë.
Më pas armën pistoletë, sipas dosjes, ai ka thënë se e ka fshehur në zonën e vaskave të kënetës përballë banesës së tyre.
Mësohet se dinamika e ngjarjes nuk u zbardh nga celulari, por ndërsa për orë të tëra vajza këmbëngulte se e kishte vrarë ajo babanë, një predhë e gjetur në divan e ka bërë atë të tregonte se çfarë kishte ndodhur.
Sipas informacioneve, policia po heton në gjendje të lirë edhe nënën Blerina Meta, e dyshuar se kreu veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës.