Deputeti serb, Igor Simiq i shoqëruar nga kolegët e tij ka folur pas përfundimit të seancës së sotme të Kuvendit, ku dështoi të zgjidhet nënkryetari nga komuniteti serb.
Simiq para mediave u shpreh se po shkelet rendi kushtetues dhe të drejtat e serbëve.
“Është ndërprerë seanca siç e dini, arsyeja është se po shkelen të drejtat e popullit serb, ata janë të vetëdijshëm çfarë po bëjnë. Seancën e kaluar e kam informuar kryeparlamentarin për shkeljet Kushtetuese. Shkelja kryesore është se kandidati për nënkryetar duhet ta ketë shumicën e deputetëve serbë, e ky është Slavko Simiq. Po shkelen të drejtat dhe këtë po e bënë partia në pushtet – ajo e Albin Kurtit”, ka thënë Simiq.
Ai ka shtuar se deputeti serb Nenad Rashiqi nuk e ka mbështetjen e serbëve, pasi sipas Simiqit ai ka marrë pesë herë më pak vota se Slavko Simiq.
“Për fat të keq nuk po respektohen të drejtat e popullit serb, dhe Lista Serbe do të ankohen sepse janë shkelur të drejtat dhe i bëjë thirrje partive tjera shqiptare dhe atyre jo shqiptare që të mos votojnë”, tha Igor Simiq.
Ai shtoi se kandidati i listës serbe Slavko Simiq është propozuar sipas ligjeve të parapara dhe kryeparlamentari e ka refuzuar.