Pesë vjet pas shpërthimit të pandemisë vdekjeprurëse COVID-19 që shkaktoi mbi shtatë milionë vdekjen mbarë botën, Kina raportohet se po sheh një rritje të metapneumovirusit njerëzor ose HMPV – një sëmundje respiratore me simptoma të ngjashme me ato të gripit.
Kjo ka ngjallur shqetësime serioze për një tjetër krizë shëndetësore pas COVID-19, duke bërë që vendet fqinje të monitorojnë nga afër situatën, raporton The Economic Times.
Disa raportime në media dhe postime në mediat sociale sugjerojnë se virusi po përhapet me shpejtësi marramendëse.
Madje disa pohojnë se spitalet janë duke u mbingarkuar nga njerëzit e prekur nga ky virus.
Simptomat e HMPV
Simptomat që zakonisht lidhen me HMPV, siç përshkruhet nga CDC, përfshijnë: kollë dhe rrufë ose hundë të mbytur, ethe, dhimbje të fytit ose gulçim në raste të rënda.
Në disa raste, infeksioni mund të përparojë në bronhit, pneumoni ose përkeqësime të astmës.
Kush është në rrezik?
Fëmijët nën moshën pesë vjeç, veçanërisht foshnjat, dhe ata mbi 65 vjeç, dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar ose kushte kronike të frymëmarrjes si astma ose COPD janë në rrezik më të lartë.
Si përhapet HMPV?
HMPV përhapet përmes spërklave nga kollitja ose teshtitja, kontakti i ngushtë si prekja ose shtrëngimi i duarve, sipërfaqet e kontaminuara, e ndjekur nga prekja e gojës, hundës ose syve.
Sipas CDC, HMPV ka një model sezonal, që qarkullon në fund të dimrit dhe pranverës në rajone të buta.
Çfarë mund të bëni për ta parandaluar atë?
CDC rekomandon hapat e mëposhtëm për të zvogëluar rrezikun e HMPV dhe sëmundjeve të tjera të frymëmarrjes:
-Lani duart shpesh me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda
-Shmangni prekjen e fytyrës me duar të palara
-Mbani maska në vendet e mbushura me njerëz kudo ku ka epidemi
-Qëndroni në shtëpi kur jeni të sëmurë për të parandaluar përhapjen e virusit
-Pastroni rregullisht sipërfaqet e prekura shpesh.