Këshilltarja politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në Qeverinë e Kosovës, Ardita Sinani ka reaguar pas lajmit për arrestimin e kreut të Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili, nga Policia e Serbisë.
Sinani tha se përpos kreut, policia serbe ka arrestuar edhe regjisorin e shfaqjes, Gani Veseli.
Të dy raportohet se janë arrestuar për shkak se kanë lejuar prezantimin në këtë shtëpi të kulturës, të një shfaqje teatrale e financuar nga institucionet e Kosovës.
Me veprime të tilla, Sinani tha se Serbia vazhdon ta theksojë se nuk duron asgjë që është shqiptare.
Postimi i plotë:
Situata gjithnjë ka qenë e qartë për ata që kanë dashur të shohin, por edhe nëse kanë injoruar realitetin, Serbia sërish na e thekson.
Imagjinoni, në shekullin XXI, vitin 2023, në kontinentin e Evropës, policia e Serbisë ka marrë në shtëpinë e tij në Nesalcë drejtorin e Shtëpisë së Kulturës, Jetmir Ismailin dhe regjisorin e shfaqjes, Gani Veseli.
Më e papranueshme se kjo është vetëm iluzioni i disave që besojnë se Serbia ka ndryshuar. Ajo është po ajo e njëjta që nuk duron asgjë shqiptare.