Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, ka thënë se është ndaluar edhe mbrëmë në Muçibabë nga policia kufitare serbe.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se edhe herën e dytë është ndaluar pa ndonjë arsye.
“Mbrëmë rreth orës 21:00 në vendkalimin e njëjtë kufitar me Republikën e Kosovës, Muçibabë, përsëri u ndalova nga policia kufitare serbe. Për herë të dytë brenda të njëjtës ditë. Jo vetëm duke e lëshuar Serbinë, por edhe duke hyrë. Këtë herë periudha kohore ishte më e shkurtër se në orët e mëngjesit të djeshëm”.
“Edhe kësaj radhe pa asnjë sqarim e arsyetim! Thjeshtë ndalesë! Kjo është Serbia me të cilën si shqiptarë të Luginës së Preshevës ballafaqohemi çdo ditë. Kjo është Serbia për pakicat kombëtare”, ka thënë Sinani.