Shoqata Sindikale e Anëtareve të Shërbimit të Jashtëm ka reaguar kundër menaxhmentit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të cilët pretendojnë se kanë ndërruar cilindrin e derës së kryetarit të Shoqatës Sindikale, Agron Maloku dhe pamundësuar qasjen në zyrën e tij.
Një gjë e tillë u bë e ditur nga kjo sindikatë me anë të një komunikate për media, të cilët kanë ftuar policinë dhe prokurorinë të intervenojë.
“Pas largimit të kryetarit të Shoqatës Sindikale, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, sot më datë 28 shtator 2022, menaxhmenti i MPJD-së në mënyrë të dhunshme ka hyrë në zyrën e Kryetarit të Shoqatës Sindikale z. Agron Maloku duke e ndërruar cilindrin e derës dhe duke pamundësuar qasjen në zyrën e tij, në arkiven, vulën dhe dokumentacionet tjera të Shoqatës të krijuara vite me radhë që nga themelimi saj në mars të vitit 2017”, thuhet në komunikatë.
“Shoqata Sindikale shprehe shqetesimin e saj lidhur me këtë incident dhe njëkohësisht ju bënë me dije se çdo lëshim eventual i ndonjë dokumenti në emër të Shoqatës Sindikale konsiderohet si keqpërdorim nga zyrtarët përgjegjës për ndërmarrjen e këtij veprimi të kundërligjshëm”, vijon më tej komunikata.
Ky pretendim i kësaj sindikate vjen disa ditë pasi protestuan përpara MPJD-së, të cilët thanë se në këtë ministri është “instaluar frikë dhe shantazhi”