Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës, kanë ndarë një mesazh solidarizues me ngjarjet e fundit tragjike, duke u shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të dy grave të vrara nga burrat.
Kjo situatë, për këtë sindikatë, mbetet e tmerrshme dhe e papranueshme, ndërsa bëhet thirrje në mbështetjen e organizatave dhe iniciativave që punojnë për të luftuar dhunën kundër grave.
”Si kryesi e Sindikatës së Re, Korporata Energjetike e Kosovës, jemi thellësisht të shokuar dhe të zemëruar nga lajmet tragjike për vrasjet e dy grave në Ferizaj dhe Pejë. Një gjë e tillë është e tmerrshme dhe e papranueshme.
Si organizatë, ne dëshirojmë të shprehim solidaritetin tonë me familjet e tyre dhe t’i dërgojmë ngushëllimet më të sinqerta në kohën e tyre të vështirë.
Kjo ngjarje na kujton rëndësinë e ndërhyrjes urgjente për të luftuar dhunën kundër grave.
Nevojitet një ndryshim i thellë në shoqërinë tonë për të siguruar që grave tu jepet respekti dhe siguria që meritojnë.
Si një organizatë e përkushtuar për të drejtat dhe sigurinë e punonjësve tanë, na takon të ndërgjegjësojmë njerëzit dhe të veprojmë për të ndryshuar kulturën.
Drejtësia duhet të bëjë punën e saj për të siguruar që autoret e këtyre krimeve makabre të përballen me ligjin dhe të gjendet drejtësia për dënimin e merituar.
Nuk ka vend për dhunë në shoqërinë tonë, veçse për respekt dhe barazi gjinore.
Si Sindikatë, ju ftojmë të bashkoheni me ne në mbështetjen e organizatave dhe iniciativave që punojnë për të luftuar dhunën kundër grave dhe për të promovuar barazinë gjinore.
Të bashkuar, mund të bëjmë ndryshime të mëdha dhe të ndërtojmë një shoqëri më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë.
Kryesia Ekzekutive e Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës”.