Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës ka njoftuar se të martën e 5 gushtit do të mbajnë protestë në sheshin “Ibrahim Rugova”, përpara kuvendit, qeverisë dhe presidencës.
Në protestën e thirrur më 5 gusht, Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës i ka ftuar të gjithë punëtorët e RTK-së që të bashkohen për të protestuar.
“Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës ftojnë të gjithë punetorët e Radiotelevizionit të Kosovës që të bashkohen në protestën e përgjithshme që do të organizohet të martën me datë 5 gusht 2025, në orën 11:00, me kërkesën e vetme: Transferoni buxhetin e RTK-së të miratuar me ligj, që të marrim pagat për punën e kryer“, thuhet në njoftim.
Tutje, Sindikata e RTK-së tha se deri më 5 gusht përsërisin kërkesën drejtuar qeverisë në detyrë që të marrë veprime të menjëhershme dhe të gjejë zgjidhje për të transferuar mjetet financiare në këtë situatë, sipas tyre, të rëndë për RTK-në dhe që të shmangen protestat.