Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare menaxhmentit të televizionit publik, Qeverisë së Kosovës si dhe Ministrisë së Financave, në lidhje transferimin e pagave te punëtorët.
Në kërkesë thuhet se edhe pse vendimi për buxhetin e RTK-së u mor në parim të premtën e kaluar nga ekzekutivi, punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat.
“Siç dihet, të premten e kaluar është marrë vendimi në parim për buxhetin e RTK-së. Megjithatë, deri më sot – dita e 19 pa paga – të gjithë punëtorët e RTK-së vazhdojnë të jenë pa pagën e tyre mujore, për të cilën kanë punuar”, thuhet në kërkesë
Tutje, SPERTK, kërkon informim të qartë se deri ku ka shkuar procesi i transferimit të pagave dhe sa kohë do të zgjasë kjo procedurë.
“Ju bëjmë thirrje që ta përshpejtoni këtë proces, pasi vonesa ka dëmtuar rëndë punëtorët e RTK-së dhe vetë institucionin tonë. Punëtorët presin me të drejtë pagën për punën që e kanë kryer, dhe kjo situatë është e papranueshme”.
“Prandaj, presim përgjigje të qartë dhe shpërndarje të menjëhershme të pagave për punëtorët e RTK-së.Në të kundërt, do të jemi të detyruar t’i kthehemi formave ligjore që na i lejon ligji për organizimin sindikal”.
Ju rikujtojmë se protesta e paralajmëruar u anulua në shenjë mirëbesimi dhe për të dëshmuar se nuk kemi asnjë interes tjetër përveç mbrojtjes së RTK-së dhe punëtorëve të saj.
Presim përgjigje konkrete nga të gjithë akterët institucionalë më së voni deri të premten.
Nëse deri të premten nuk bëhet shpërndarja e pagave, protesta dhe format e bojkotit të lejuara me ligj do të fillojnë të hënën në orën 09:30.