Pikat kufitare të Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuara pasi që ka kontrollë të vazhdueshme për të gjithë ata që duan të hyjnë në territorin e Kosovës, ku sipas masave të reja të gjithë ata që nuk i kanë tri doza të vaksinës nuk lejohet hyrja e tyre në vendin tonë, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Edhe pse me dy doza të vaksinës nuk lejohet hyrja në Kosovë, vetëm nëse bëjnë edhe testin PCR. Kjo gjendje do të vazhdojë deri në marrjen e masave të reja pas dy javësh.
“E gjithë bota po hapet! Së pari unë kam kaluar virusin dhe kam dy vaksina, çfarë do të më ndihmoj doza tretë – asgjë! Bile të njoftonin ca ditë më herët, ja vijmë këtu na thonë nuk mundet, si jo! Çdo shtet normal do të zbatonte masat e reciprocitetit që duhet në këtë rast. Ata kërkojnë edhe ne duhet ta bëjmë”, thotë një qytetar.
Autoritetet e Kosovës thonë se nuk pritet ta rishikojnë këtë vendim deri më 4 shkurt kur dhe do të vlerësohet efekti epidemiologjik i masave. Sipas tyre këto masa janë marrë në mbrojtje të mospërhapjes së variantit omicron, ku përveç kufizimeve në kufi kanë shtuar orën policore në gjithë vendin nga ora 22:00-05:00.
“Nga kjo masë lirohen shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë territorit në 12 orët e fundit dhe të njëjtit nëse kanë nga dy doza vaksinash në të kthyer në vendlindje nuk kanë nevojë për test PCR. Nëse të njëjtit vonohen më shumë se 12 orë jashtë Kosovës, në të kthyer duhet të mbahen 7 ditë në karantinë në kushte shtëpiake. Gjithashtu nga kjo masë lirohen shtetasit e huaj që tranzitojnë përmes territorit të Kosovës brenda tri orësh, si dhe personat nën moshën 12 vjeçare”, thonë për Alsat nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës kritika pati edhe nga shteti shqiptar ku ndërveprimet kufitare janë kushtëzuar për të gjithë. Shtetet fqinje kanë kritikuar Kosovën se është vendi i vetëm në Evropë që po mbyllet në masa restiktive anti-COVID dhe orë policore, përkundër rekomandimeve të OBSH-së se tani që varianti omicron ka arritur pikun rreziku për vdekshmëri është i ulët dhe vendet duhet të nisin ngadalë të heqin masat kufizuese, madje edhe heqjen e maskave dhe certifikatave të vaksinimit./Gazeta Enigma/