Avdullah Hoti ka reaguar pasi nuk mori pjesë në kongresin e fundit të LDK-së, duke theksuar se është propozuar sërish kandidat për deputet.
Përmes një deklarate publike, Hoti falënderoi strukturat e LDK-së për besimin, duke thënë se ky vlerësim përbën përgjegjësi për të vazhduar angazhimin politik “me dinjitet, përkushtim dhe besnikëri ndaj frymës rugoviane”.
Ai theksoi se LDK është më e madhe se çdo individ dhe se partia mbetet “shtëpia politike e brezave që besojnë në demokraci dhe orientim perëndimor”.
Në reagimin e tij, Hoti kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke akuzuar pushtetin për “mentalitet autoritar dhe propagandë”, ndërsa bëri thirrje për mobilizim politik për, siç tha ai, rikthimin e Kosovës në “rrugën e duhur”.
Statusi i plotë:
Falënderoj Degën e LDK-së në Rahovec për besimin që edhe njëherë të jem kandidat për Deputet.
Ky vlerësim është përgjegjësi dhe obligim për të vazhduar rrugën politike me dinjitet, përkushtim dhe besnikëri ndaj frymës rugoviane dhe vlerave të LDK-së.
LDK ka qenë dhe do të mbetet më e madhe se secili individ. Emrat vijnë e shkojnë, por LDK mbetet shtëpia politike e brezave që besojnë në demokraci, shtetndërtim dhe orientim perëndimor. Asnjë individ nuk mund të jetë mbi LDK-në, sepse forca e saj buron nga struktura, anëtarësia dhe historia e saj e lavdishme.
Sot më shumë se kurrë kërkohet mobilizim i plotë për ta ndalur degradimin institucional dhe mendësinë autoritare që po tentohet t’i imponohet Republikës sonë. Kosova nuk ka nevojë për pushtet absolut, propagandë dhe mentalitet komunist që e sheh shtetin si pronë partie. Ka nevojë për demokraci, partneritet me aleatët dhe rikthim të normalitetit politik.
Prandaj, bashkë dhe me vendosmëri, do të angazhohemi për ta rikthyer Kosovën në rrugën e duhur dhe për ta rrëzuar këtë logjikë përçarëse e autokratike që përfaqëson kryeministri në ikje.
