Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar për një video që e shpërndau Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës, ku një punëtor shihet duke dalë nga brendësia e kaldajës së Bllokut A5.
Në një postim në Facebook, Bajrami punëtorin në fjalë e quajti “hero të kazanit”, por tha se pamjet që po qarkullojnë nga KEK-u janë fakte të gjalla për degradimin institucional të një sektori jetik siç është ai i energjisë.
“Në postimin e “Sindikatës së Re të KEK-ut”, punëtori del nga brendësia e kaldajës së Bllokut A5, me rrobat e shqyera dhe pa asnjë pajisje mbrojtëse, në kushte tepër të rënda, duke rrezikuar jetën. Punëtori në video dhe qindra si ai përkundër vështirësive, punojnë pa ndalë që vendi të mos zhytet në terr, derisa tenderët e KEK-ut ndahen në WhatsApp”, tha Bajrami.
“Ky është KEK-u nën qeverisjen e Komitetit për Energji të Lëvizjes Vetëvendosje, me tenderë të negociuar pa garë, pa fizibilitet, pa transparencë, si tenderi për ”Rehabilitim dhe Modernizim e A3”, i hapur nga janari i këtij viti – tender 137 milionë euro me negociata, e për të cilin KEK-u as studim fizibiliteti nuk ka, e në anën tjetër, kompanitë e privilegjuara nga ky pushtet bëjnë qindra miliona qarkullim nga importi i energjisë”, u shpreh ajo.
Bajrami për situatën në KEK drejtoi pyetje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, dhe ministres së Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, të cilëve iu tha se lavdërohen për fitimet nga KEK-u.
“Dilni, tregoni sot çka po ndodhë me atë fitim, sepse investime në remonte e modernizim nuk ka, paga më të larta nuk ka, kushte më të mira për punë nuk ka. Tregoni a po gjeneron KEK-u energji duke sakrifikuar edhe remontet, sepse kjo ju leverdisë tregtarëve të energjisë, pasi që ata fitojnë edhe kur shet edhe kur blen Kosova energji”.
“Për këto pamje nuk pres që të deklarohet Albini, as vartësit e tij. Ai nesër, prapë, vetë i 48-ti, vjen në Kuvend për t’u tallur me qytetarët. Një gjë është e vërtetë se shteti nuk mbahet me propoagandë, por me djersën e këtyre punëtorëve”, u shpreh Bajrami.
E njëjta tha se prokuroria ka detyrë ta kthejë shtetin nga pengmarrësit te qytetarët, duke kërkuar edhe hetim.