Rrugët e bllokuara në veri të vendit mund të lirohen për një orë. Kështu po beson kryetari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje, Bekë Berisha, veçse thotë se për këtë qeveria duhet të ketë guxim dhe vullnet.
Deputeti opozitar vlerëson se gjendja në veri është shqetësuese për çka kërkon reagim serioz të institucioneve përgjegjëse.
“Gjendja e vërtetë që po paraqitet nga qeveria, me theks të veçantë e Policisë së Kosovës, është ndryshe. Policia qëndron me moral të lartë dhe me përkushtim, si gjithherë më parë, kur ka qenë në pyetje shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit të vendit”, deklaroi Berisha.
Bile, sipas tij, veriu i Kosovës është kthyer në problem të sigurisë për çështje të problemeve teknike.
“Popullin dhe Policinë e Kosovës nuk e trembin bandat dhe manovrimet që po bëhen në atë pjesë të Kosovës. Për shumë vite ne kemi punuar për paqe dhe siguri në të gjithë Kosovën. Qytetarët që dje, sot e nesër po kyçen në veprime të kundërligjshme, kryengritëse dhe kundër interesit qytetar, ju them të mos lejoni të keqpërdoreni nga politika”, tha tutje ai.
Berisha mendon se barrikadat në veri duhet të hiqen nga policia dhe KFOR-i bashkë, derisa shtoi se situata e krijuar nuk bën të mbetet status-quo.