“Situatë emergjente” në urën e Krimesë, raportohet për dy të vdekur

“Situatë emergjente” në urën e Krimesë, raportohet për dy të vdekur

Qarkullimi i veturave në urën kryesore që lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë, është ndalur pas raportimeve për një shpërthim.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në rajonin Krasnodar të Rusisë, që ndodhet në skajin lindor të urës, një incident në këtë urë la të vdekur dy persona, dhe vajza e tyre pësoi lëndime.

Guvernatori i Krimesë, e cila u aneksua nga Rusia në vitin 2014, njoftoi mbylljen e urës herët të hënën pa dhënë një arsye specifike.

Burimet lokale të lajmeve përmendën se banorët dëgjuan shpërthime para agimit, megjithëse nuk është dhënë asnjë konfirmim zyrtar.

Shkalla e dëmit nga shpërthimi mbetet e paqartë, por guvernatori Sergei Aksyonov tha se priste që trafiku hekurudhor në urë të rifillonte brenda disa orësh.

Fotot e postuara nga një kanal në Telegram, i lidhur me shërbimet e sigurisë ruse, përshkruanin një korsi në rrugën e urës të copëtuar dhe një makinë të zezë me dëmtime të rënda në pjesën e përparme.

Ura, që shtrihet në ngushticën e Kerçit, pësoi dëmtime edhe në muajin tetor të vitit të kaluar kur kamion me bombë shpërtheu aty, dhe u deshën disa muaj riparime përpara se të kthehej në funksionim të plotë.

Ura shërben si rrugë kryesore transporti për trafikun rrugor dhe hekurudhor, duke luajtur një rol të rëndësishëm në operacionet ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

E hapur në vitin 2018, ura prej 19 kilometrash është lidhja kryesore tokësore midis Rusisë dhe gadishullit të Krimesë.

Ndërsa Andriy Yusov, një zëdhënës i departamentit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, nuk pranoi të komentojë mbi incidentin, ai theksoi se “gadishulli përdoret nga rusët si një qendër e madhe logjistike për lëvizjen e forcave dhe aseteve thellë në territorin e Ukrainës. Çdo çështje logjistike i komplikon gjërat për pushtuesit”.

Të hënën, Natalia Humeniuk, zëdhënësja e komandës ushtarake jugore të Ukrainës, tha se incidenti në urën e Krimesë mund të jetë potencialisht një akt i qëllimshëm provokimi i orkestruar nga Moska.

Related Articles