Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca ndaj Izet Sheqirit, Kadri Sheqirit, Faton Vrajollit, Kadri Brahimit dhe Fehmi Bytyçit, të akuzuar për rastin e 400 kilogramëve narkotikë, që u gjetën në Lipjan.
Avokati i të akuzuarit Kadri Sheqiri pohoi se klienti i tij ka personalitet të çrregulluar, të shoqëruar me ankth.
Ai ka kërkuar që për shkak të kësaj gjendjeje shëndetësore, Kadriu të pushojë kohë pas kohe dhe të ketë pauza 10-minutëshe çdo orë të seancës.
Trupi gjykues pohoi se ka pranuar informacionin se Sheqiri është i shqetësuar, prandaj edhe i ofroi mundësinë të mos merret sot në pyetje.
“Po tybe s’jam kurrqysh. Nëse është e mundur të vazhdojnë këta tjerët sot” deklaroi i akuzuari Kadri Sheqiri.
Kërkesa e tij u miratua nga trupi gjykues. Të dyshuarit akuzohen se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA”, për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, por sipas prokurorisë në to ishin vendosur substanca narkotike.
Rasti ndodhi në maj të 2021-tës.
