S’ka rivotim në Mitrovicë, Supremja refuzon kërkesën e PDK-së

S’ka rivotim në Mitrovicë, Supremja refuzon kërkesën e PDK-së

Gjykata Supreme e ka refuzuar të pabazuara dy ankesa administrative kundër vendimeve të PZAP-së, derisa e ka pranuar një prej tyre.

Supremja e ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe sipas vendimit të kësaj gjykate, nuk do të ketë rivotim në Mitrovicë.

Sipas njoftimit të Supremes, është refuzuar si e pathemeltë ankesa e parashtruar nga subjekti politik: Partia Demokratike e Kosovës, me seli në Prishtinë, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.439/2025, të datës 14.11.2025.

“Pasi PZAP kishte refuzuar ankesën e PDK-së, kjo e fundit, ka paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme, duke kërkuar të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që brenda afatit të caktuar ligjor të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës, duke kryer rivotim në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse”, thuhet në njoftim

Tutje thuhet se duke u nisur nga gjendja e tillë faktike dhe ligjore e çështjes, e ka pranuar në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së.

Gjykata Supreme konstaton se asnjë nga pretendimet e palëve nuk është provuar dhe faktuar dhe nuk ekziston bazë ligjore që të provojë se ka pasur shkelje të natyrës substanciale që mund të ndikojnë në integritetin e procesit zgjedhor ose në rezultatin përfundimtar, andaj, vlerësoi se dëshmitë e paraqitura nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për gjykatën që të krijohet bindja se në rastin konkret duhet të urdhërohet rivotimi.

Kurse, në rastin e dytë me numër lënde AA.nr.121/2025, është refuzuar si e pabazuar ankesa e parashtruar nga Labinot Halilaj, kandidat për asamblist në Komunën e Gllogocit, nga Subjekti Politik Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin, (PDKRLL), paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.440/2025 të datës 14.11.2025.

“Pasi PZAP kishte hedhur si të pas-afatshme ankesën e parashtruar nga Labinot Halilaj, ky i fundit, të paraqitur kundër ankesë në Gjykatë Supreme duke kërkuar që të rinumërohen të gjitha votat për Kandidat për Kuvendin Komunal në Gllogoc”.

Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të vendimit të atakuar pretendimeve ankimore dhe atyre në përgjigje në ankesë, shqyrtoi shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga kjo gjendje e çështjes, e pranon si të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së dhe konsideron se në rastin konkret juridik, nuk është bërë diskriminim dhe nuk është cenuar e drejta zgjedhore dhe ndonjë e drejtë themelore e paraparë me Ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Në rastin e tretë, me numër lënde A.A.nr.120/2025, është pranuar si e bazuar ankesa e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi, nga subjekti politik: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.389-2/2025, të datës 14.11.2025 dhe çështja i kthehet Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në rivendosje”.

Pasi PZAP kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Avni Gashi, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që të urdhërohet PZAP të lejojë rinumërimin e votave dhe të obligohet KQZ që të bëjë verifikimin e materialit zgjedhor dhe të urdhërohet rinumërimi i votave në vendvotime të caktuara.

Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se PZAP, me rastin e shqyrtimit të ankesës së ankuesit, nuk ka vepruar sipas vërejtjeve dhe sugjerimeve të dhëna nga ana e Gjykatës Supreme të Kosovës, dhe nuk ka vepruar në pajtim me nenin 117 [Procedurat e PZAP-së] paragrafi 4 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku përcaktohet se: “PZAP-ja mund të urdhërojë rinumërimin e fletëvotimeve në një vendvotim apo qendër votimi, si dhe shqyrtimin e materialit votues si pjesë të hetimeve për ankesën e parashtruar.”

Për pasojë, Gjykata Supreme e Kosovës vlerëson se rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të vërtetuar rezultatin e saktë të zgjedhjeve dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në rivendosje, PZAP, udhëzohet që të shqyrtojë edhe njëherë udhëzimet e dhëna nga kjo gjykatë, pretendimet ankimore të ankuesit, provat e deponuara dhe të procedojë tutje në hetimin e këtyre pretendimeve përkatëse që të sigurojë që mos të cenohet integriteti i procesit zgjedhor dhe secila votë të shkojë në destinimin e synuar dhe mos të ketë devijim të vullnetit të qytetarëve.

Related Articles