Një skandal i përmasave të mëdha ka goditur futbollin turk, pasi dhjetëra arbitra janë kapur të përfshirë në veprimtari bastesh sportive.
Shumë prej tyre rezultojnë të kenë qenë pjesëmarrës aktivë në baste, ndërsa disa luanin rregullisht.
Federata e Futbollit të Turqisë (TFF) ka njoftuar se do të nisë hetimet dhe procedurat disiplinore ndaj personave të përfshirë.
Hetimet që kanë zgjatur pesë vite kanë zbuluar se nga 571 gjyqtarë të licencuar, plot 371 kanë llogari bastesh, dhe 152 prej tyre janë të përfshirë në lojëra fati në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas raportit, disa prej tyre kanë vënë baste vetëm një herë, por 42 gjyqtarë të tjerë janë gjetur se kanë vendosur baste në mbi 1,000 ndeshje futbolli. Madje një prej tyre kishte bërë plot 18,227 baste.
Presidenti i TFF-së, Ibrahim Ethem Haciosmanoglu, në një konferencë për shtyp në Stamboll, deklaroi se Federata nuk do të tolerojë asnjë formë shkeljeje që dëmton integritetin e futbollit turk.
Ai nuk bëri publikë emrat e gjyqtarëve, por konfirmoi se lista përfshin 7 arbitra kryesorë dhe 15 ndihmës nga kategoritë e larta të kampionatit turk, ndërsa pjesa tjetër vjen nga ligat më të ulëta.
“Nëse duam ta kthejmë futbollin turk në nivelin që meriton, duhet të pastrojmë çdo papastërti që e ka njollosur atë,” deklaroi Haciosmanoglu. Ai shtoi se të gjithë personat e përfshirë do të referohen tek bordi disiplinor i TFF-së dhe do të përballen me ndëshkimet e merituara.
