Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin e pasurive të Ndërmarrjes Publike “Trepça” Sh.A., duke ngritur shqetësime për administrimin dhe regjistrimin e aseteve të kompanisë.
Sipas raportit të auditimit, ndërmarrja nuk ka dokumentacion mbështetës për 59 pasuri me vlerë mbi 24.7 milionë euro, ndërsa kjo situatë ka ndikuar që pasuritë të mos paraqiten në mënyrë të plotë dhe të saktë në pasqyrat financiare.
Auditorët kanë konstatuar gjithashtu se qindra parcela nuk janë regjistruar në regjistrat përkatës të pasurive, pavarësisht se figurojnë në evidencat e komisioneve të inventarizimit ose në dokumentacionin kadastral.
Raporti vë në pah edhe mungesën e një databaze të plotë për banesat e dhëna në shfrytëzim punonjësve, si dhe paqartësi pronësore për dhjetëra parcela që në regjistrat e Trepçës paraqiten si pronë e ndërmarrjes, ndërsa në evidencat kadastrale figurojnë si bashkëpronësi ose pronë shoqërore.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar që ndërmarrja të ndërmarrë masa për kompletimin e dokumentacionit, regjistrimin e saktë të pasurive dhe harmonizimin e evidencave me të dhënat zyrtare, në mënyrë që të sigurohet raportim financiar i besueshëm dhe administrim më efikas i aseteve publike.
