Aferat po dalin njëra pas tjetrës e kryeministri po bën sehir. Kështu po e sheh Partia Demokratike e Kosovës, Albin Kurtin karshi përgjimeve që u publikuan së fundmi në media. Andaj nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku po i bën thirrje prokurorisë që t’i hetojë të gjitha rastet.
“Në rastin më të mirë ka pasur indiferencë, shpërfillje dhe në rastin më të keq ka pasur një mbrojtje të pashpjegueshme të akterëve të përfshirë në korrupsion dhe një sulm histerik kundër prokurorisë dhe medieve”, tha Çitaku, njofton Klan Kosova.
Ajo duke i përmendur me emra, tha se largimi nga detyra i këtyre funksionarëve, do të duhej të ishte vetëm fillimi, e ballafaqimi me drejtësinë, përgjigjja e duhur. Derisa sipas saj shërbyesit civilë janë duke u përballur me presione të jashtëzakonshme.
“Vetmja gjë që ka prodhuar kryeministri Kurti tani pothuajse tre vite në pushtet është një cikël i pafund i krizave të cilat kanë rezultuar në polarizime të brendshme dhe në acarimet e skajshme me aleatët tanë”.
Në konferencë u shpalos edhe një baner me, siç i quajti Çitaku, skandalet e Qeverisë, ndërsa tha se në fund janë edhe tri pika pasi nuk ka baner që i zë të skandalet e ekzekutivit.