Hetuesit belgë kontrolluan zyrat në Parlamentin Evropian në Bruksel të hënën, në një hetim për ryshfet nga mikpritës i Kupës së Botës – Katari.
Ky ishte kontrolli i 20-të i kryer në Belgjikë që nga e premtja dhe presidentja e Parlamentit, Roberta Metsola, paralajmëroi eurodeputetët se “demokracia është nën sulm”, raportoi BBC-ja të martën.
Policia belge ka arrestuar katër persona, mes tyre edhe zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, Eva Kaili, një eurodeputete greke.
Katari ka mohuar çdo keqbërje, derisa është vendosur që eurodeputetët të debatojnë për skandalin të martën.
Policia belge ka deklaruar se para në vlerë prej 600,000 euro në formën kesh janë gjetur në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, dhe qindra mijëra euro janë gjetur në një çantë në një dhomë hoteli në Bruksel. Kompjuterë dhe telefona mobilë janë marrë si dëshmi.
Që nga e premtja, burimet e IT-së të 10 punonjësve të parlamentit janë “ngrirë” për të parandaluar zhdukjen e të dhënave të nevojshme për hetimin.
Katër të dyshuarit e arrestuar nga policia belge janë akuzuar për “pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”, thanë prokurorët në një deklaratë të dielën.
Kaili – një eurodeputete për tetë vjet u pezullua nga detyra e saj si një nga 14 nënkryetaret nga presidentja e parlamentit Metsola.
Ajo është pezulluar gjithashtu nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në parlament dhe është përjashtuar nga partia e qendrës së majtë greke “Pasok”.