Paparaci ka raportuar javën e kaluar për skandalin me 100 mijë euro të keqpërdorura në fondin e dedikuar për Luginën.
Këto para kanë shkuar për njerëz të lidhur me Ardita Sinanin, këshilltare e kryeministrit, Albin Kurti.
Lidhur me këtë çështje kanë reaguar organizata të ndryshme joqeveritare që veprojnë në Luginë.
Në kërkesën drejtuar kryeministrit Kurti, bëhet thirrje që të shqyrtohet përputhshmëria e kritereve që kanë qenë të publikuara më 1 nëntor të Këshillit Kombëtar Shqiptar me projektpropozimet që tashmë janë pranuar.
“Në cilësinë e Organizatave Joqeveritare me seli në Komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, kërkojmë nga organet e juaja përgjegjëse, që në kuadër të procedurave të ankesave, ta shqyrtoni përputhshmërinë e përfituese të granteve të ndara me kriteret aplikuese në thirrjen publike të shpallur më 1 nëntor 2022 nga ana e Këshillit Kombëtar Shqiptar për projekt propozimet e përkrahjes financiare që bartin aktivitete në ruajtjen dhe kultivimin e artit, gjuhës, arsimit e identitetit kombëtar shqiptar në Luginë të Preshevës, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar të datës 28 tetor 2022, përkatësisht Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës me nr.03/115”, thuhet në kërkesën e OJQ-ve.
Organizatat të cilat iu drejtuan Kurtit me kërkesë janë: Organizata Aktivisteve “REFORMA”, Preshevë, Shoqata për Trashëgimi Kulturore Preshevë, OJQ “Be Active 06” Preshevë, OJQ “Pozitiv 365” Preshevë, OJQ “Beyound” Bujanoc, Klubi Futbollistik “Lugina” Preshevë, Shoqata e Infermierve të Luginës, Preshevë, Shoqata “Dituria” Preshevë- Bujanoc, Shoqata Sportive “Lëvizja” Preshevë, OJQ “Youth Trails” Preshevë, Shoqata e Prinderve të Femijëve dhe të Rinjëve me aftësi të kufizuara, Preshevë, Valon Arifi, aktivist, Preshevë, Klubi Futbollistik “Miratoci” Preshevë.
Qeveria e Kosovës ka ndarë ndihma financiare disa herë për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës në territorin e Serbisë.
Sinani, nënkryetarja e Partisë për Veprim Demokratik, është e para grua politikane në Luginën e Preshevës dhe ka qenë po ashtu edhe kryetare e Preshevës.