Kur kanë mbetur vetëm pak muaj nga “Katar 2022”, një skandal mund të spërkasë finalet, pasi Federata Kiliane e Futbollit denoncoi parregullsi serioze te skuadra e Ekuadorit gjatë fazës kualifikuese të Kupës së Botës. Kombëtarja e këtij vendi akuzohet se ka fshehur identitetin e një prej lojtarëve të tij të quajtur: Byron Castillo.
Avokati i Federatës Kiliane të Futbollit, Eduardo Carlezzo, zbulon për “MARCA” të gjitha parregullsitë e skuadrës ekuadoriane me Bajron Castillon dhe pohon se ai po luan me dokumentacion totalisht false, duke pohuar se në të vërtetë ai është kolumbian.
Kili e ka denoncuar tashmë këtë gjë në FIFA dhe kërkon kualifikimin e tij në finalet Kupën e Botës 2022 të Katarit, në vend të Ekuadorit. Kujtojmë se Bajron Castillo ka luajtur tetë ndeshje me Ekuadorin në fazën kualifikuese për Botërorin, dy prej tyre kundër Kilit.
“Ne kemi bërë një ankesë në FIFA, si rezultat i asaj që besojmë se është një incident shumë i rëndë në aktivizimin e lojtarit Byron Castillo me ekipin kombëtar të Ekuadorit. Ne kemi hetuar tërësisht rastin, për të kuptuar realisht se ku ka lindur lojtari dhe jemi të qartë: ai ka lindur në Kolumbi”,– tha Eduardo Carlezzo për këtë medium.
“Ajo që po theksojmë kategorikisht është se Byron Javier Castillo Segura ka lindur në Tumaco të Kolumbisë, më 25 korrik 1995, ndërkohë që Byron David Castillo Segura, i cili do të kishte lindur më 10 nëntor 1998, nuk ekziston, ai është një fantazmë. Ai është një falsifikim dhe madje një krim sipas ligjeve të Ekuadorit”,- shtoi avokati i Kilit.
“Gjithçka filloi në 2012 në provincën e Guayas (Ekuador), te një klub të quajtur Amerika e Veriut. Pikërisht Byron Castillo ishte regjistruar në atë klub në vitin 2012. Vetë Federata e Ekuadorit e quajti këtë klub si epiqendrën e falsifikimit të dokumenteve të lojtarëve në Ekuador dhe e përjashtoi. Për këtë u arrestuan edhe punonjës”,- pranon Eduardo Carlezzo.
Kupa e Botës 2022 e Katarit është në prag dhe Kili shpreson që FIFA do ta skualifikojë Ekuadorin për këtë parregullsi.