Skender Hyseni deklarohet i pafajshëm

Skender Hyseni deklarohet i pafajshëm

Ish-koordinatori Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, Skender Hyseni, është deklaruar i pafajshëm për mosraportim të saktë të pasurisë, brenda afatit ligjor.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Hyseni e ka dhënë në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, të mërkurën.

“Jo, absolutisht jo”, deklaroi Hyseni.

Lidhur me ngritjen e kësaj aktakuze, Hyseni kishte deklaruar se është e paqëndrueshme dhe se është i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Sipas aktakuzës, Hyseni akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit – me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kreysi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit. /Gazeta Enigma.

Related Articles