Një emigrant i paligjshëm shqiptar që pagoi 4000 paund për të kaluar në Britaninë e Madhe me varkë për të punuar në shtëpitë e barit, tregon se u mbajt nga trafikantët i mbyllur për më shumë se 15 muaj.
19-vjeçari Besmir Sula u rekrutua nga gangsterët shqiptarë sapo mbërriti në ishull dhe arriti të shpëtonte prej tyre, kur policia ushtroi kontroll në një prej “investimeve” për kultivimin e kanabisit.
I riu shprehet se menjëherë sapo mbërriti në Britani u dërgua nga autoritetet në një qendër emigrantësh për t’u zhvendosur më pas në një nga hotelet e caktuara nga qeveria për azilkërkuesit.
Ishte pikërisht aty ku ai u mor nga trafikantët shqiptarë dhe u zhvendos në shtëpitë e mbushura me kanabis në zonat rurale të Cranbrook dhe Hawkhurst në Kent.
Djaloshi më pas u “dyllos” brenda pasi kishte detyrën e rëndësishme që të kujdesej për më shumë se 500 rrënjë kanabis, një drogë shumë e përdorur nga të rinjtë britanikë, por jo vetëm.
Në muajin dhjetor Sula u arrestua gjatë një operacioni policor dhe doli përpara gjykatës nën akuzat e trafikut dhe prodhimit të lëndëve narkotike, akuza të cilat ai i mohoi gjatë gjithë kohës.
Përfaqësuesi i tij ligjor, John FitzGerald tha se adoleshenti, i cili nuk kishte precedentë të mëparshëm penale, ishte viktimë e një grupi kriminal të organizuar që e kishte shfrytëzuar për një kohë të gjatë.
“Ai është nga një fshat shumë i vogël dhe i varfër në Shqipëri ku punonte gjithë natën në një furrë buke për 300 euro në muaj. Më pas djaloshi mori 4500 euro borxh nga një person i afërt për të udhëtuar ilegalisht drejt Britanisë, ku i ishte premtuar se do të gjente jetën e shumë ëndërruar”, tha avokati.
Fitzgerald e mbylli mbrojtjen duke thënë se Sula ishte një i ri naiv që përfaqësonte në mënyrën më të mirë viktimën e skllavërisë moderne.
Që nga arrestimi i tij, Sula ka qëndruar në paraburgim, me avokatin e tij që i kërkoi gjykatës të ishte e mëshirshme.
Gjyqtari Douglas Marks Moore urdhëroi që Sula të vuante dënimin në një institucion për të rinjtë dhe më pas të dëbohej për në Shqipëri.