Shërbimi policor i Londrës ka akuzuar shitësit me pakicë për shitjen e skuterëve elektrikë pa i ndërgjegjësuar plotësisht klientët se nuk mund t’i përdorin ata në zona publike.
Kjo, sepse nuk është e ligjshme.
Sipas policisë, përgjatë vitit janë sekuestruar 3 mijë e 637 skuterë elektrike.
Aktualisht, përdorimi i tyre në publik është kundër ligjit sepse jo gjithmonë disponojnë drita të kuqe të pasme ose targa të dukshme.
Komandanti Kyle Gordon ka treguar se për shkak të kësaj, njerëzit po përballen me “konfiskim, gjoba dhe pikë të hequra në licencën e tyre”.
Megjithatë, skuterët elektrikë privatë mund të përdoren ligjërisht në zona private. Por ata janë një pamje e zakonshme në rrugë dhe trotuare në zonat urbane.
Këtë vit, tetë bashki të Londrës kanë marrë pjesë në provat njëvjeçare të mbështetura nga qeveria, ku njerëzit mund t’i ngasin ato në rrugë.
Ndërkaq, janë edhe skuterët me qira.
Ata kanë veçori shtesë sigurie, me drita dhe një shpejtësi maksimale që është nën kufirin e vendosur nga Departamenti i Transportit (DfT).
Ky i fundit ka bashkëpunuar me Transportin për Londrën (TfL), duke u kërkuar shitësve me pakicë që të mos shfrytëzojnë klientët e tyre pasi mijëra skuterë elektrikë pritet të shiten në prag të Krishtlindjes.
Për Gordon-in, ata janë “provuar të jenë shumë të rrezikshëm” dhe se drejtuesit e skuterëve “kanë përfunduar duke dëmtuar rëndë veten ose të tjerët”.
“Është vërtet e padobishme që shitësit me pakicë, plotësisht të vetëdijshëm për rreziqet që po krijojnë për publikun, vazhdojnë të përfitojnë nga shitja e makinerive të paligjshme për përdorim në rrugët publike, pa shpjegime dhe udhëzime të mjaftueshme”, ka shtuar ai.