Smithi i thotë Kongresit të ShBA-së se Trumpi ka shkelur ligje “me dashje”

Smithi i thotë Kongresit të ShBA-së se Trumpi ka shkelur ligje “me dashje”

sh-hetuesi i posaçëm amerikan dhe ish-kryeprokurori i Dhomave të Specializuara, Jack Smith, i cili pa sukses e kishte ndjekur penalisht presidentin Donald Trump, tha të enjten para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve se kreu i Shtëpisë së Bardhë “po kërkonte mënyra për të qëndruar në pushtet” pas humbjes së tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Smithi po u përgjigjej pyetjeve para Komisionit për Sistemin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve për dy rastet e tij, të cilat i kishte mbyllur pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Në njërin rast, Trumpi akuzohej për konspiracion për zhbërjen e humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020, ndërsa në tjetrin për mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo seancë dëgjimore e shënon herën e parë që publiku amerikan do të dëgjojë më gjerësisht nga Smithi, ndjekjet penale historike të së cilit mbizotëruan në vitet e Trumpit jashtë pushtetit dhe ndihmuan në nxitjen e synimit të presidentit për hakmarrje pas rikthimit në pushtet.

“Presidenti Trump u akuzua, sepse u ndërtuan dëshmi që ai me dashje i shkeli vetë ligjet për të cilat ishte betuar se do t’i respektonte” – tha Smithi para panelit. “Nëse do të më kërkohej që të ndiqja penalisht një ish-president duke u mbështetur në faktet e njëjta sot, do ta bëja këtë, pavarësisht nëse presidenti do të ishte demokrat apo republikan” – shtoi ai.

Ligjvënësit republikanë u munduan që ta diskreditonin hetimin e Smithit dhe ta mbështesnin pretendimin e Trumpit se hetimet ishin keqpërdorim i sistemit të drejtësisë. Republikanët i kushtuan vëmendje të veçantë vendimit të Smithit për të kërkuar të dhëna të kufizuara nga telefonat nga ish-kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, dhe disa senatorë republikanë, si dhe urdhrave të gjykatës me të cilat ligjvënësve u ndalohej që të njoftoheshin për thirrjet para gjyqit.

“Gjithmonë kishte të bënte me politikën. Për ta kapur Donald Trumpin, ata ishin të gatshëm që të bënin pothuajse gjithçka” – tha kongresisti Jim Jordan nga Ohio, republikan që e drejton Komisionin për Sistemin Gjyqësor në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në anën tjetër, Smithi tha se këto të dhëna ishin të nevojshme për t’i ekzaminuar përpjekjet e Trumpit që t’u bënte presion ligjvënësve republikanë për ta bllokuar certifikimin e zgjedhjeve. Ai tha se kishte “shqetësime të thella për pengimin e drejtësisë në këtë hetim, në mënyrë specifike në lidhje me Donald Trumpin”.

“Hetimi ynë zbuloi se Donald Trumpi nuk po kërkonte përgjigje të sinqerta për atë nëse kishte mashtrim në zgjedhje. Ai po kërkonte mënyra për të qëndruar në pushtet” – tha ish-hetuesi i posaçëm, i cili më parë gjithashtu ka shërbyer si kryeprokuror i Dhomave të Specializuara, të njohura më mirë në Kosovë si Gjykata Speciale, e cila po i gjykon ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Related Articles