Banorët në Rafah, në jug të Gazës, kanë raportuar për intensifikim të granatimeve me artileri dhe të shtëna armësh më 30 maj, pasi Izraeli tha se ka marrë nën kontroll një korridor strategjik në kufirin e territorit palestinez me Egjiptin.
Ushtria izraelite ka nisur inkursionin e saj në Rafah në fillim të majit, pavarësisht kundërshtimeve ndërkombëtare për shkak të shqetësimeve për fatin e palestinezëve që strehohen në këtë pjesë të Gazës.
Një sulm gjatë fundjavës shkaktoi një zjarr që vrau dhjetëra persona në një kamp të zhvendosurve, duke nxitur një dënim të fuqishëm ndërkombëtar.
Izraeli, që vazhdimisht është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – pasi ky grup sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, tha një ditë më parë se mori nën kontroll një korridor strategjik në kufirin Gazë-Egjipt, teksa tha se dyshon se në atë zonë ka tunele që janë përdorur për kontrabandimin e armëve.