Sokoli thur elozhe për mbrojtësin Ardi Ajdini: Ishte individi kryesor që e pengoi Malishevën të fitojë ndeshjen

Sokoli thur elozhe për mbrojtësin Ardi Ajdini: Ishte individi kryesor që e pengoi Malishevën të fitojë ndeshjen

Trajneri i mirënjohur, Bylbyl Sokoli, ka thurur elozhe për qendërmbrojtësin e Fushë Kosovës, Ardi Ajdini, i cili vazhdoi formën e mirë edhe në ndeshjen e fundit ndaj Malishevës.

Ajdini është një nga lojtarët më të mirë këtë sezon te skuadra e udhëhequr nga trajneri, Burim Shala.

Paraqitjet e tij janë vlerësuar të dielën në emisionin ‘Dueli Sportiv’ në RTV Dukagjini nga trajneri dhe analisti, Bylbyl Sokoli.

Sipas “Profës”, Ajdini ishte futbollisti kryesor që nuk e lejoi Malishevën të marrë tre pikët në barazimin pa gola ndaj Fushë Kosovës.

“Pashë një mbrojtje më të konsoliduar te Fushë Kosova. Ardi Ajdini më duket një futbollist shumë i ri, ishte lojtari i cili më ra në sy, me shumë siguri. Është lojtar i ri i huazuar prej Prishtinës te Fushë Kosova. Shumë lojtar i ri me antropometri të mirë, teknikisht mirë, ka intervenuar jashtëzakonisht mirë, ka lëvizur mirë, punon mirë në tandem, mbulon njëri-tjerin. Po më duket se ai ishte individi kryesor që e pengoi Malishevën të fitojë ndeshjen,” tha ai.

Mbrojtësi 20-vjeçar ishte huazuar nga Prishtina te Fushë Kosova në janar të këtij viti.

Ai gjatë sezonit 2020/21 ka luajtur te Besa e Pejës në Superligën e Kosovës, ku është paraqitur në 30 ndeshje dhe ka shënuar një gol.

Ajdini është produkt i skuadrës së 2 Korrikut, teksa ka qenë pjesë edhe e Kosovës U-17, U-19 dhe U-21.

Related Articles