Masat e ftohta që depërtuan gjatë ditës së djeshme, përpos reshjeve të shiut, sollën edhe reshje bore në shumë ultësira, sidomos në Rrafshin e Kosovës, e në disa zona të Rrafshit të Dukagjinit nuk pati fare reshje.
Këto masa të ftohta kanë mbetur të pranishme edhe gjatë ditës së sotme, të cilat më vonë gjatë orëve të mbrëmjes do të pasohen nga një ciklon nga Mesdheu, i shoqëruar me masa më të ngrohta.
Fillimisht reshjet do të nisin në formë të borës, lokalisht të dendura, ndërsa gjatë natës do të jenë edhe në formë të shqotës si dhe shiut që ngrihet, përpara se e gjitha të shndërrohet në shi.
Reshjet e shiut do të ndërpriten në orët e mëngjesit të së Mërkurës. Dita do të vijojë kryesisht e vranët dhe me ngritje të lehtë të temperaturave, ku me ardhjen e një cikloni të ri, shiu do të rikthehet vonë pasdite dhe në mbrëmje në gjithë territorin e Kosovës.
Të reshurat do të jenë lokalisht në formë të rrebesheve, sërish më të intensifikuara në Rrafshin e Dukagjinit, sidomos në zonën jugperëndimore, të cilat do të vazhdojnë edhe gjatë natës, duke sjellë vërshime.
Meqenëse Peja gjendet në perëndim të vendit apo afër zonës ku parashikohet të ketë më shumti reshje, ky vend rrezikohet nga vërshimet, për shkak të sasisë së madhe që ka pranuar kohëve të fundit.