Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë si dhe mos përfshirjen në shtesat tjera të parapara me ligj.
Ish-inspektori i AKI-së, Shkëlzen Sopjani, ka thënë se edhe partitë opozitare e kanë një pjesë të madhe të fajit për gjendjen e tanishme të policisë.
“Këto probleme janë akumuluar me kohë, pra unë po them e di që po bëhen 14 vjet prej kur është bërë drafti i parë i ligjit për pensionim të parakohshëm”, ka thënë ai.
Në emisionin Info Magazine ai ka vlerësuar se pritjet e pjesëtarëve të policisë me këtë qeveri kanë qenë më të mëdha. Sipas tij, kur janë pritjet e mëdha edhe dëshpërimi është më i madh.
“Ndoshta është edhe një moment i mirë për këto njësi, marrë parasysh ndodhitë në kohën e fundit në veri, ku këta veç e treguan veten, u treguan sa të rëndësishëm janë për vetë sigurinë kombëtare”, ka potencuar Sopjani.
“Pra po e theksoj se edhe partitë opozitare, se këtu ka qenë një problem që duhet ta them, partitë opozitare policinë nuk e shohin si të tyren përderisa nuk janë në pozitë dhe kjo ka ndodh me të gjitha partitë. Po ankohen për diçka që me vite kanë mundur ta bëjnë edhe ata dhe nuk e kanë bërë”, ka thënë ish-inspektori i AKI-së.
“Një pjesë të madhe të fajit e kanë sepse ata një kohë të gjatë e kanë neglizhuar këtë punë. Më e mira prej tyre kishte me qenë që të mos deklaroheshin fare sepse pjesa e madhe e fajit është e tyre”, ka thënë Shkëlzen Sopjani.