Sot dita e Besnik Bislimit, nga ky moment në karrigen e kryeministrit

Sot dita e Besnik Bislimit, nga ky moment në karrigen e kryeministrit

Nga ky moment, Besnik Bislimi do të ulet në kolltukun e kryeministrit pas dorëheqjes së shefit të tij dhe kolegëve të tjerë qeveritarë të martën.

Të gjithë ministrat e Qeverisë Kurti II, përveç Besnik Bislimit dhe Liburn Aliut, dhanë dorëheqje nga postet e tyre të martën para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku ishte paraparë të betoheshin si ligjvënës.

Megjithatë, betimin nuk arritën ta bëjnë këtë të martë pasi seanca konstituive e legjislaturës së nëntë dështoi. Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK votuan kundër raportit të Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandatave.

Qeveria, megjithatë vazhdon të jetë legjitime. Por, pa Albin Kurtin kryeministër.

Kompetencat e kryeministrit, pas dorëheqjes së Kurtit, do t’i ushtrojë ai që deri sot ishte zëvëndës i tij, Besnik Bislimi.

Ekonomisti nga Bukoviku i Gjilanit do të jetë formalisht ushtrues detyre shefi i qeverisë derisa të zgjidhet qeveria e re, dita e së cilës duket të jetë ende e largët.

Edhe Liburn Aliu do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e ministrit të Infrastrukturës, sikurse disa zëvendësministra të tjerë, të cilët do të marrin frerët e ministrive përkatëse si ushtrues detyrash.

Related Articles