Në Kataloni mbahen sot zgjedhjet rajonale dhe tema e pavarësisë del sërish në pah.
Deri në krizën financiare të Eurozonës më 2012, e cila çoi në humbje të mëdha të vendeve të punës, mbështetja për pavarësi në rajonin verilindor të Spanjës ishte margjinale.
Masat e kursimit shtynë pastaj Qeverinë rajonale që të kërkojë më shumë kontroll mbi buxhetin e saj – gjë të cilën Qeveria qendrore në Madrid e refuzoi.
Nën presionin e grupeve separatiste, partia konservatore dhe nacionaliste katalanase që qeveriste rajonin, CiU, e ndryshoi qasjen dhe përqafoi kauzën e pavarësisë.
Ajo i kërkoi Qeverisë qendrore konservatore që të lejonte një referendum për pavarësinë, por ai u refuzua.
Pas disa vitesh tubime masive pro pavarësisë dhe fërkimeve në rritje midis Katalonjës dhe Madridit, dëshira për pavarësi kulmoi në vitin 2017.
Presidenti i atëhershëm, Carles Puigdemont, i mbështetur nga asambleja rajonale që kontrollohej nga separatistët, shpalli referendumin për pavarësi, duke shkaktuar një valë tronditëse në të gjithë Evropën.
Një sondazh i kryer në shkurt dhe mars nga Qendra Katalanase për Opinionin Publik – e drejtuar nga Qeveria – zbuloi se 42% e të anketuarve e mbështesin pavarësinë, krahasuar me 49% në vitin 2017, raporton rel.
Në zgjedhjet kombëtare të vitit të kaluar, kjo rënie e entuziazmit u reflektua edhe në rezultat. Përfaqësimi i ERC-së ra nga 13 deputetë në shtatë, ndërsa Junts ra nga tetë në shtatë.